Usain Bolt ka siguruar medaljen e tij të 6-të të artë olimpike duke fituar për edicionin e dytë radhazi garat e 100, 200 dhe 4 x 100 metrave, për të treguar se është ndër atletët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.
Ndaj sprinteri xhamajkan ka patur “luksin” të kritikojë hapur presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, i cili nuk pranon ta cilësojë “legjendë” atletin që në katër vitet e fundit ka entuziazmuar më shumë turmat në garat ku ka marrë pjesë.
“Sot, ai nuk mund të më sfidojë mua rreth kësaj çështje. Më thoni ju, çfarë gjëje tjetër duhet të bëj që të cilësohem legjendë? Kam fituar garat në dy Olimpiada të ndryshme, kam fituar medaljen e artë në Botëror, kam thyer shumë herë rekorde botërore. Nuk di se çfarë duhet të bëj tjetër! Herën tjetër që e shihni, pyetni Rozhe çfarë gjëje më mbetet të bëj që nuk e ka bërë asnjë njeri më përpara”, ishte komenti i Bolt , i cili nuk ka një marrëdhënie të mirë me drejtuesin më të lartë të lëvizjes olimpike.
Debatet kanë filluar që katër vite më parë, kur Rozhe kritikoi publikisht Bolt për mënyrën se si festonte para se të mbaronte garën, duke injoruar shpirtin olimpik. Që nga ai moment, presidenti i KON ka bërë maksimumin për të minimizuar sukseset e atletit. Por edhe Bolt ka bërë maksimumin për t’u tallur me KON dhe rregullat strikte që ka vendosur.
Pas fitores në garën e 100 metrave, Bolt publikoi një seri rregullash absurde që ishin vendosur para aktivitetit nga KON, si fakti që nuk mund të bënte nxeje me litarin e tij personal të kërcimeve, pasi duhej përdorur ai i sponsorit të aktivitetit.
Edhe dje, ai ka arritur të thyejë një rregull publikisht. Pas garës, Bolt kërkoi të mbante si kujtim shkopin e stafetës, por u ndalua nga një prej gjyqtarëve të garës që i kujtoi se rrezikonte skualifikimin nëse nuk e dorëzonte si gjithë të tjerët. Pas insistimit të atletit dhe pasi zyrtarët plotësuan formularët përkatës duke homologuar rezultatin, një nga organizatorët i dorëzoi rekordmenit botëror shkopin e stafetës, të cilin ai ka premtuar se do ta ruajë si trofe. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 August 2012 08:40