Kushdo që është i interesuar të zotërojë një kampion olimpik, ka shansin e jetës së tij, pasi tre të tillë janë në shitje në ankandin që fillon me shifrën modeste të 20 milion paund.
Bëhet fjalë për Valegro, Utopia dhe Alf, tre kuajt të cilët i dhuruan Britanisë së Madhe medaljen e artë olimpike në hipizëm në ecjen sportive. Të tre janë nxjerrë në shitje nga pronarët e tyre, të cilët më sa është mësuar, kanë marrë një ofertë të ndjeshme nga një anëtar i familjes mbretërore të Arabisë Saudite, por nëse ai nuk ofron më shumë se 20 milion paund, duhet të marrë pjesë në ankandin e hapur si të gjithë të tjerët.
Karl Hester, pronari i Valegro dhe Utopia, si dhe një prej kalorësve që ishin pjesë e skuadrës britanike që fitoi medaljen e artë, pranoi se kuajt do të ishin nxjerrë në shitje pavarësisht rezultatit në Londër 2012, por fitorja ka bërë që çmimi i tyre të rritet ndjeshëm në krahasim me një muaj më parë.
“Gjithmonë mendoja se Utopia do të më shpëtonte një jetë pune dhe skllavërie”, pranoi ai me humor para gazetarëve. “Ai do të ishte kali që do të më lironte nga prangat e punës dhe do të paguante për kredinë që kam marrë në bankë”.
Kjo ishte hera e parë që Britania e Madhe fitonte disiplinë e ecjes në garat olimpike të hipizmit, duke i dhënë fund dominimit të Gjermanisë, që kishte fituar çdo garë që në momentin kur disiplina u përfshi në Lojërat Olimpike në vitin 1976.
Në garën në fjalë mori pjesë edhe Rafalka, kali i zotëruar nga gruaja e kandidatit republikan për president të SHBA, Mit Romnei. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 August 2012 10:50