Joakim Lëv ka vendosur të lërë pushim disa futbollistë të njohur të kombëtares së Gjermanisë për miqësoren që kjo përfaqësuese do të luajë të mërkurën përballë Argjentinës.
Kapiteni Filip Lahm do të mungojë për shkak se pret të bëhet baba së shpejti, ndërsa dyshja e Arsenal, Podolski e Mertesaker, janë lënë pushim në mënyrë që të përgatitin fillimin e sezonit të ri me klubin anglez.
“Lahm dëshironte të luante, por pasi fola në telefon me të, mora vendimin që ta lija të lirë të merrej pak me jetën private në këtë moment të rëndësishëm”, shpjegoi Lëv.
“Tre ditë pas ndeshjes miqësore, fillon kampionati anglez, ndaj ishte e rëndësishme që Mertesaker dhe Podolski të qëndronin në klubin e Arsenalit pasi të dy luftojnë për një vend në formacion dhe u duhet të jenë të gjendje të përgatiten sa më mirë për sezonin e ri”.
Ndërkohë, portieri i Hofenhaim, Tim Uise, duket se nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses gjermane, pasi Lëv ka deklaruar se ka folur me lojtarin dhe aktualisht stafi i tij po kërkon për zëvendësues më të rinj në moshë për portierin titullar, Manuel Nojer.
Në listë mungojnë dy lojtarët e Bajern Mynih, Shvajnshtajger e Gomez, të cilët janë të dëmtuar ndërsa është grumbulluar vetëm një sulmues i mirëfilltë, Miroslav Klose. (LajmeShqip.com)
Lista e Gjermanisë për miqësoren me Argjentinën:
Portierë: Manuel Nojer (Bajern Mynih), Ron-Robert Ziler (Hanover).
Mbrojtës: Lars Bender (Bajer Leverkusen), Holger Badshtuber (Bajern Mynih), Zherom Boateng (Bajern Mynih), Benedikt Houedes (Shalke), Mats Humels (Borusia Dortmund), Marcel Shmelcer (Borusia Dortmund).
Mesfushorë: Sven Bender (Borusia Dortmund), Julian Draksler (Shalke), Mario Gëtze (Borusia Dortmund), Ilkai Gondogan (Borusia Dortmund), Sami Khedira (Real Madrid), Toni Kros (Bajern Mynih), Tomas Myler (Bajern Mynih), Mesut Ozil (Real Madrid), Marko Reus (Borusia Dortmund), Andre Shurle (Bajer Leverkusen).
Sulmues: Miroslav Klose (Lacio).
Thursday, 09 August 2012 19:49