Zenit Shën Petersburg duket se ka thyer konkurrencën e klubeve angleze duke bërë një ofertë të çmendur për sulmuesin brazilian Hulk. Kampionët e Rusisë mendohet se i kanë ofruar Portos 38 milion paund dhe Bruno Alvesh për të marrë prej skuadrës portugeze sulmuesin e kombëtares braziliane.
Hulk, i cili është pjesë e përfaqësueses olimpike në Londër 2012, ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit me Porton e ndonëse ka një klauzolë largimi prej 80 milion paund në kontratë, klubi ka bërë të ditur se do të bëjë “ulje” për të interesuarit duke vënë çmimin 38 milion paund për lojtarin.
Sipas mediave britanike, Çelsi ka mbërritur deri në 30 milion paund në ofertën për futbollistin, ndaj Zenit për të evituar konkurrencën e mëtejshme, ka ofruar 38 milion paund që kërkon Porto, duke shtuar edhe mbrojtësin Bruno Alvesh, që është gati të kthehet në vendlindje.
Tani pritet të shihet reagimi i Çelsit si dhe i Totenhem, një tjetër skuadër e interesuar për lojtarin në fjalë. Trajneri Vijas Boas është takuar një muaj më parë me futbollistin brazilian, por ka deklaruar se ishte thjesht një vizitë kortezie e asgjë më shumë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 August 2012 11:16