Ivan Ukhov është një nga personazhet më të çuditshëm të botës së atletikës, pasi për një arsye apo një tjetër, bëhet gjithnjë protagonist me veprimet e tij. Në garën për medaljen e artë në Londër 2012 në kërcim së larti, kamerat treguan një ngjarje mjaft të veçantë.
Para hedhjes së tij të 5-të, rusi shihej në panik ndërsa kërkonte bluzën që e kishte hequr pas provës së mëparshme dhe nuk mbante mend ku e kishte vendosur. Pamjet televizive treguan se si ai kërkoi kudo, edhe poshtë stolit ku ishte ulur, pa sukses. Meqë koha po kalonte dhe ai rrezikonte skualifikimin, një zyrtar e ndihmoi duke i dhënë një sugjerim interesant.
Ukhov veshi menjëherë një T-shirt blu që gjendej në stol dhe i vuri asaj ngjitësen rezervë me emrin e tij, duke vazhduar normalisht garën. Duket se kjo bluzë rezultoi me fat pasi Ukhov kaloi 2.33 metra që në tentativën e parë.
Për më tepër, ai sapo u kthye gjeti fanellën e garës dhe më pas kaloi me sukses dy prova të tjera, duke u shpallu Kampion Olimpik me lartësinë 2.38 metra.
Medalja e artë mund ta ndihmojë atë të harrojë një tjetër incident, atë të viti 2008 në Zvicër, kur garoi krejtësisht i dehur dhe disa regjistrime me celular treguan se në çfarë gjendje ishte ai para se të provonte të realizonte një hedhje. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 August 2012 08:40