Transferta në SHBA e Milanit nuk ka kaluar pa një incident të vogël që ka trembur disi lojtarët e kësaj skuadre. Mediat italiane kanë zbuluar se të dielën në darkë, disa lojtarë mes të cilëve edhe Bonera, Antonini e Emanuelson, kanë kaluar disa momente paniku në restorantin e njohur brazilian “Fogo de Chao” në Filadelfia.
Një hajdut i armatosur ka hyrë në këtë restorant, duke kërcënuar me armë kasierët dhe pronarët, ndërsa lojtarët fatmirësisht kanë qenë në një cep tjetër të lokalit dhe nuk kishin kuptuar se çfarë po ndodhte. Por ata janë detyruar të largohen nga lokali në fjalë dhe mbetën pa darkë.
Futbollistët ishin ulur në një zonë të izoluar në fund të restorantit dhe sapo kishin filluar të ushqeheshin kur një kamerier që mbante një pecetë tavoline mbi gojë i ka nxjerrë me shpejtësi jashtë restorantit. Lojtarët kanë ndjerë shumë shpejt djegie në sy, ndërsa kanë zbuluar se hajduti kishte hedhur një bombol me gazo lotsjellës ndërsa po rrëmbente paratë, në mënyrë që të trembte personat që mund të tentonin t’i afroheshin.
“Sapo erdhëm nga një darë fantastike, tani po kthehemi në hotel”, ishte komenti ironik i Emanuelson në Twitter.
Nëse ky lajm ka bërë disi për të qeshur tifozët e Milanit, një lajm jo aq i bukur ka ardhur në lidhje me investimet e skuadrës për sezonin e ri. Kompania ruse “Gazprom” ka mohuar zyrtarisht sot se ka blerë kuota në radhët e kuqezinjve dhe sipas zëdhënësit të saj, as nuk i shkon ndër mend të bëhet sponsor apo bashkëpronare te Milan. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 August 2012 16:24