Sebastian Xhovinko ka bërë të qartë se do të dëshironte të vishte fanellën me numrin 10 te Juventus, atë fanellë që ka mbetur pa pronar që pas largimit të Alesandro Del Pieros nga bardhezinjtë.
Sulmuesi është kthyer përsëri te klubi i origjinës pas një eksperience të suksesshme në huazim te Parma, por menjëherë ka parë se si trajneri dhe disa prej shokëve të skuadrës janë akuzuar në skandalin e manipulimit të ndeshjeve në Serinë A, duke rrezikuar pezullime të gjata.
“Në krahasim me të kaluarën, gjithçka është ndryshe për mua, por un preferoj të fokusohem te e tashmja”, tha Xhovinko. “Do të jetë shumë e çuditshme të luajmë pa Antonio Konte në pankinë por ne duhet të jemi më të fortë se kaq dhe të mos kërkojmë justifikime”.
Lojtari ka mbajtur numrin 12 në stërvitje dhe gjatë miqësoreve, por nuk e fsheh dëshirën që të mbajë numrin e idhujve të tifozerisë bardhezi, pasi dëshiron të bëhet një lojtar po aq i rëndësishëm në radhët e kësaj skuadre.
“Nëse numri 12 do të jetë përfundimtar, më pëlqen ta mbaj. Por nëse Konte do të më jepte numrin 10 do të isha edhe më i lumtur”, tha futbollisti i cili po përgatitet me skuadrën e tij për të marrë pjesë në Superkupën e Italisë, të cilën Juventusi do ta luajë kundër Napolit në Pekin me 11 gusht. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 August 2012 16:26