Trajneri i Volfsburg, Feliks Magath, ka konfirmuar se mesfushori brazilian Diego bën pjesë në planet e tij dhe se futbollisti do të qëndrojë te kjo skuadër.
Lojtari 27 vjeçar kaloi shumë probleme me klubin gjerman pasi në fundin e sezonit 2010-2011, refuzoi të ulej në pankinë pasi Magath e kishte lënë mes zëvendësuesve. Kjo shtyu klubin që ta jepte huazim për një sezon te Atletiko Madrid, ndërsa pas përfundimit të huazimit e delegoi te amatorët.
Por dje, të gjithë janë çuditur kur Diego dhe Magath kanë bërë një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se kanë lënë pas të gjitha problemet e të kaluarës dhe janë gati të punonin bashkë.
“Dihet që kemi patur probleme por kemi folur dhe gjithçka është zgjidhur. Është e rëndësishme që gabimet të falen, një lojtar i cilësisë së tij do të na japë ne një mundësi më të madhe për të arritur një nga katër vendet që të çon në Ligën e Kampioneve”, tha Magath.
“Diego do të mbajë numrin 10. Ai është një njeri me zemër, që mund të krijojë raste për veten dhe për shokët e skuadrës. Si organizator, do të jetë detyra e tij që të drejtojë ekipin drejt potencialit maksimal. Do t’i kërkoj të gjithë tifozëve tanë që t’i japin atij një tjetër shans. Çdokush që dashuron futbollin duhet të dashurojë lojtarë si Diego”.
Ndërkohë, edhe vetë lojtari ka shkruar një letër të hapur për tifozët, të publikuar në faqen e internetit të klubit.
“E di që në fundin e sezonit të kaluar kam zhgënjyer shumë prej jush, ndonëse u prita me ngrohtësi te Volfsburg. I kam kërkuar falje trajnerit dhe kam mësuar nga gabimet e të kaluarës. Më bëhet qejfi që më është dhënë një shans i dytë nga trajneri dhe shokët e skuadrës, por tani shpresoj që këtë mundësi të dytë të ma jepni edhe ju”, shkruhet në letrën që braziliani u ka drejtuar tifozëve të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 August 2012 10:01