Një makinë e vogël do të shërbejë si mjet transporti brenda Stadiumit Olimpik në Londër për garat e atletikës, duke i dërguar atletëve shtizën, çekiçin, gjylen apo diskun.
Mjeti i telekomanduar, që është një kopje në miniaturë e makinës “Mini Cooper”, ka filluar punë që me garat e sotme, ndërsa është kthyer menjëherë në makinën më të famshe të momentit, duke argëtuar edhe spektatorët e pranishëm që kanë parë se si dhjetra automjete të tilla janë vënë në lëvizje në stadium.
Makina në fjalë mund të mbajë deri në 8 kilogram peshë, ndërsa përllogaritet që në ditët e punës do të bëjë rreth 6 kilometra brenda stadiumit, duke transportuar materiale të ndryshme.
Në këtë mënyrë, organizatorët duan të evitojnë praninë e sa më shumë personave brenda terreneve sportive, pasi personat që i komandojnë këto makina, janë të gjithë të ulur jashtë rrethimit.
Më përpara, ishin vullnetarët që vraponin sa në një cep, në cepin tjetër të stadiumit, për t’i kthyer atletëve mjetet me të cilat garonin. (LajmeShqip.com)
Friday, 03 August 2012 16:48