Skuadra e futbollit të femrave të Brazilit ka akuzuar organizatorët e Londër 2012 se kanë bërë një “komplot të turpshëm” kundër tyre, që solli edhe humbjen e papritur përballë Britanisë së Madhe të martën në darkë.
Anëtarë të skuadrës braziliane u inatosën pasi mbetën në anë të një autostrade duke pritur, pasi autobusi i tyre ishte prishur, ngjarje që ndodhi natën para ndeshjes me ekipin vendas, të humbur me rezultatin 1-0.
“Ky është një turp”, shpërtheu trajneri Horge Barceos. “Në një turne të përmasave të tilla, vonesa në iniciativën për të zgjidhur situatën ishte absurde”.
Brazili u nis nga Kardifi, ku është hoteli i skuadrës, drejt Londrës, por autobusi u prish në mes të rrugës për probleme mekanike me automjetin. Me sa duket, as shoferi nuk ka qenë në gjendje të gjejë ndihmë nga përgjegjësit e tij, ndërsa skuadra është detyruar të presë në mes të rrugës për orë me radhë.
Situata është bërë më absurde, kur një tjetër autobus i Londër 2012 është shfaqur pranë tyre por shoferi kishte plotësuar numrin e kilometrave për këtë ditë dhe nuk mund të merrte ekipin pa një leje të veçantë.
Një autobus i tretë erdhi pas dy orësh, por Brazili nuk mbërriti në hotelin e tij në Londër për 2-3 orë tjera, pasi shoferi këtë radhë ecte shumë ngadalë. Si rrjedhojë, skuadra nuk bëri stërvitje natën para ndeshjes dhe e zëvendësoi atë me shëtitje në rrugët e kryeqytetit.
Shumë nga futbollistet kanë folur për shtypin brazilian duke e cilësuar të paramenduar këtë incident të vogël, në mënyrë që përgatitja e tyre për ndeshjen të mos ishte e rregullt. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 August 2012 11:11