“Duhet të shohim nga të rinjtë dhe të ndërtojmë një skuadër të madhe përmes tyre”. Ky është mesazhi i qartë që Silvio Berluskoni ka lëshuar nëpërmjet kanalit televiziv të Milanit, duke mbyllur epokën e shpenzimeve të mëdha të klubit kuqezi.
“Në të kaluarën mund të blinim lojtarë të mëdhenj. Por ka ardhur një krizë pa precedent dhe sot nuk është e mundur për familjen time të shpenzojë 50 milionë euro në vit siç bënte më përpara. Kjo është arsyeja pse nuk mund të refuzonim ofertën e PSZH për Ibra e Tiago Silva. Me këtë sakrificë kemi rregulluar bilancet tona për 3-4 sezonet e ardhshme”, tha ai.
“Mos harroni se në sulm kemi 5 kampionë: Robinjo, Kasano, El Sharaui, Pato e Boateng, ndaj nuk do ta ndjejmë mungesën e Ibrahimoviç. Ndërsa në mbrojtje kemi besim te rritja e Açerbit, do të mendojmë për të rinjtë në mbrojtje, siç kemi bërë më parë me Barezin e Maldinin”.
“Shoh se skuadrat që shpenzojnë shumë janë jashtë sistemit evropian. Pronarët e tyre vijnë nga Emiratet Arabe por edhe për ta do të vijë momenti kur nuk do të kenë më mundësi të shpenzojnë. Përsa i përket Milanit, dyert janë të hapura për këdo që do të ndihmojë me skuadrën. Janë të mirëpritur investuesit e huaj”, tha Berluskoni.
Por presidenti i kuqezinjve ka sqaruar se pavarësisht krizës ekonomike, skuadra do të vazhdojë te jetë në elitë dhe i ka hapur derën edhe një kthimi të mundshëm të Kaka.
“Ideja jonë është që skuadra të hyjë në fushë me qëllimin për të qenë padrone e lojës. Kaka? Nuk përjashtoj kthimin e tij, por sipas disa kushteve të caktuara. Ai ka shkruar historinë e Milan dhe do të ishte i mirëpritur nëse vendos të kthehet. Ju garantoj se nuk është e thënë se kush shpenzon më shumë, fiton tituj. Shihni Abramoviç, fitoi vetëm këtë vit pasi ka bërë shpenzime të çmendura”, përfundoi Berluskoni. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 31 July 2012 16:08