Sidni Hoxha ka mbyllur sot pjesëmarrjen e tij në Lojërat Olimpike Londër 2012 duke thyer rekordin kombëtar në garën e 100 metra stil i lirë. Ai ka arritur të dalë në vendin e 37-të në 60-të pjesëmarrës por gjëja më e rëndësishme është se ka arritur të përmirësojë kohë e tij më të mirë në turne ndërkombëtarë, duke bërë një tjetër hap para.
Në garat e notit, bateritë zhvillohen duke filluar nga notarët më të dobët, ndërsa Hoxha ka qenë në baterinë e tretë. Ai jo vetëm që është paraqitur denjësisht duke fituar këtë bateri, por ka arritur edhe të thyejë rekordin kombëtar në 100 metra stil i lirë, që mbahej po nga ai, duke dhënë kohën 51.11 sekonda.
Koha e Hoxhës nuk ka qenë më e mirë se e asnjë prej notarëve të baterive të mëpasme, ndërsa si përfundim është renditur i 37-ti ndër 60 notarë të regjistruar si pjesëmarrës në këtë garë. Ndonëse ai ka një përmirësim të paraqitjes së tij më të mirë personale, 20 vjeçari vazhdon të mbetet shumë larg pretendimeve, pasi duhet të përmirësojë kohën e tij me rreth 2 sekonda për të pretenduar që të kualifikohet në turet e tjera të aktiviteteve të këtij niveli. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 31 July 2012 14:42