Juventus ka bërë gati një ofertë prej 20 milion paund për Robin Van Persi, duke u bërë skuadra e parë që i përgjigjet çmimit të Arsenalit për lojtarin holandez.
Bardhezinjtë janë në një ankand të hapur me dy skuadrat e Mançesterit për të siguruar futbollistin, por mendohet se janë në avantazh për shkak të dëshirës së lojtarit për të mos u aktivizuar me një klub tjetër në kampionatin anglez.
Van Persi lëshoi një deklaratë në fillimin e këtij muaji ku vuri në dyshim ambiciet e klubit, një lëvizje e cila i dha fund edhe qëndrimit të tij në radhët e kësaj skuadre, ku në 7 sezone ka fituar vetëm një Kupë FA.
Sipas “Mirror”, Juventus i ka telefonuar menaxherit të futbollistit dhe i ka konfirmuar se është gati të paguajë shumën prej 190 mijë paund në javë për rrogën e holandezit. Kjo lëvizje i ka gjetur të gjithë të papërgatitur pasi pak ditë më parë, drejtori sportiv i skuadrës, Bepe Marota, kishte deklaruar se bardhezinjtë po tërhiqeshin nga gara për lojtarin në fjalë.
Arsenali nuk do të kishte dashur kurrë të largonte kapitenin, por me deklaratën që ai bëri, ka prishur imazhin e tij para tifozëve të skuadrës dhe si rrjedhojë, largimi është bërë i pashmangshëm. Megjithatë, “topçinjtë” janë të vendosur që të përfitojnë të paktën 20 milion paund nga shitja e futbollistit që mbush 29 vjeç në muajin gush dhe ka edhe një vit kontratë të mbetur me klubin londinez. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 31 July 2012 11:40