Diego Armando Maradona mund të shkojë drejt një aventure të re në Kinë, pasi ai u fotografua me një përfaqësues të klubeve kineze në Dubai.
“Ole” ka zbuluar se ish-kampioni i Botës me Argjentinën u takua me menaxherët Daniel Dos Reis dhe Diego Kativa në qytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të diskutuar lëvizjen e radhës në karrierën e tij.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe një përfaqësues i paidentifikuar i një institucioni kinez, i cili ka qenë i interesuar për transferimin e Maradonës në Azi, duke u bërë trajnerin e dytë që ka drejtuar Argjentinë, pas Serxho Batista, që drejton në kampionatin e këtij vendi.
Sipas Dos Reis, takimi shkoi mirë pasi Maradona është i hapur ndaj mundësisë së vazhdimit të karrierës së tij në Lindjen e Largët.
“U takuam në shtëpinë e tij dhe ai dukej entuziast nga një mundësi e tillë. Tani po diskutohet ana ekonomike e një marrëveshje të mundshme”, tha ai.
Kampionati kinez i futbollit ka kaluar në faqet e para të mediave sportive botërore pasi ka bërë investime shumë të mëdha, me pronarët e klubeve që kanë paguar shuma të çmendura për futbollistë si Anelka e Drogba, apo trajnerë si Marçelo Lipi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 31 July 2012 09:20