Gafa e radhës në Lojërat Olimpike 2012 është zbuluar nga Skotland Jard, që kanë bërë të ditur se policia ka humbur çelësat e stadiumit “Uembli” pak ditë para fillimit të aktivitetit. Për shkak të kësaj situate, është detyruar ndryshimi i menjëhershëm i të gjithë bravave të dyerve, për të evituar ndonjë surprizë të pakëndshme.
“Në mëngjesin e datës 24 korrik, oficerët e policisë patrulluese olimpike na lajmëruan se i mungonte seti i çelësave të dyerve të brendshme të stadiumit “Uembli”. Policia kërkoi të gjithë impiantin por nuk u gjet asgjë. Gjithsesi, nuk ka më asnjë rrezik për sigurinë pasi të gjitha bravat që hapeshin me këto çelësa janë zëvendësuar”, thuhet në lajmërimin e Skotland Jard.
Sipas asaj që kanë bërë të ditur mediat e ndryshme ndërkombëtare, një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe me stadiumin e famshëm të Uimbëlldon një muaj më parë, kur aty po zhvillohej turneu i tenisit.
“Uembli” është një nga 5 stadiumet ku aktualisht po luhen ndeshjet për turneun e futbollit të Lojërave Olimpike. Në këtë impiant do të zhvillohen takimet finale si për meshkuj, ashtu edhe për femra. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 July 2012 16:39