Një nga medalistët e xhudos në Londër 2012 ka marrë një medalje zëvendësuese pasi ai arriti të thyente atë të bronztën që i kishin dhënë në podium pa kaluar as 24 orë.
Felipe Kitadai duket ishte aq krenar me medaljen e marrë në garën për meshkuj, 60 kg, sa nuk e hiqte medaljen e tij nga qafa për asnjë moment. I vetmi moment kur ai e ka hequr, ishte kur hyri për të bërë dush, dhe aty ndodhi edhe fatkeqësia për xhudokan brazilian.
Medalja i rrëshqiti nga duart sapo e hoqi nga qafa, duke u përkulur në njërën anë dhe duke thyer pjesën mbajtëse ku kalon shiriti.
Kitadai i dëshpëruar i ka kërkuar Komitetit Olimpik Brazilian që të kërkojë një medalje tjetër në vend të tij, në mënyrë që të vazhdonte ta mbante të varur në qafë.
Fatmirësisht, organizatorët e Londër 2012 kanë marrë masa për ngjarje të tilla dhe brazilianit iu dorëzua një medalje e re e bronztë.
Sipas mediave angleze, zëvendësimi ka ndodhur pasi kostoja e prodhimit të një medalje të bronztë është vetëm 5 euro, ndërsa vështirë se do t’i jepnin një të argjendtë që kushton 300 euro apo një të artë që ka vlerën 550 euro. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 July 2012 16:24