Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka vlerësuar vendimin e klubit për t’u përforcuar në këtë sezon me Mario Manxhukiç dhe Klaudio Pizarro në repartin e sulmit.
Kroati është një emër i ri për bavarezët, ndërsa peruani është aktivizuar me këtë klub nga viti 2001 në vitin 2007.
Sipas presidenti të bavarezëve, këta dy lojtarë do t’i krijojnë më shumë konkurrencë Mario Gomez, duke e shtyrë të bëjë më shumë.
“Ne tani kemi alternativa për Gomez. Kjo është një kërkesë e kohës për të patur sukses. Ai është një lojtar i mirë, por jo shumë i mirë. Pizarro nuk gabon asnjëherë ndërsa Manxhukiç është një futbollist shumë i aftë në lojën në ajër”.
Bajern mendohej se do të shtonte elementë të tjerë në mesfushë pasi siguruan Xherdan Shaqirin, ndërsa emrat më të mundshëm shiheshin ata të Havi Martinez dhe Lars Bender. Por Hënes theksoi se klubi nuk është gati të paguajë shuma të çmendura për këto lojtarë.
“Ne nuk do të paguajmë 40 milionë euro për një futbollist të Bilbaos. Për Bender, duhet që Leverkuseni të na japë një sinjal, pasi ne nuk duam të krijojmë probleme”, tha ai rreth këtyre dy emrave, për të bërë të qartë se thuajse gjithçka kishte qenë shpikje shtypi dhe nuk kiste bisedime zyrtare për ta. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 July 2012 11:01