Luis Hemilton arriti të linte pas Kimi Raikonen për të fituar Çmimin e Madh të Hungarisë në Formula 1 për të ringjallur shanset e tij për titullin kampion.
Britaniku i MekLaren kryesoi që nga xhiro e parë e garës, ndërsa kishte gjithmonë një makinë Lotus që e ndiqte në distancë të afërt. Fillimisht ishte Roman Groszhan që u shfaq si rival për suksesin në gare, ndërsa në xhirot e fundit Kimi Raikonen u ngjit në vendin e dytë dhe pretendoi t’i merrte fitoren.
Ndonëse finlandezi provoi në të gjitha mënyrat të kalonte britanikun, në fund ishte Hemilton që i kaloi i pari poshtë flamurit me kuadrate për të marrë këtë sukses të rëndësishëm.
Vendi i tretë i shkoi Groszhan, me kampionin në fuqi, Sebastian Vetel, që u desh të kënaqej me vendin e katërt në këtë garë.
Fernando Alonso mbrojti kryesimin e tij në kampionat, duke marrë vendin e 5-të dhe duke thelluar në 40 pikë diferencën me ndjekësin më të afërt. Baton (MekLaren), Sena (Uilliams), Ueber (Red Bull), Masa (Ferrari) dhe Rosberg (Mercedes), plotësuan 10 vendet e para që hyjnë në zonën e pikëve. (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit për pilotë pas 11 garash
164 Fernando Alonso (Ferrari)
124 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
122 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
117 Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
116 Kimi Rakonen (Lotus-Reno)
77 Niko Rosberg (Mercedes)
76 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
76 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
47 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
33 Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)
Sunday, 29 July 2012 17:01