Çelsi u mund 1-0 nga Milan në takimin miqësor të luajtur në Majemi, por Roberto Di Mateo është shfaqur i kënaqur me atë që ka parë në fushën e lojës nga kampionët e Evropës.
“Mendoj se Hazard ishte mjaft interesant me lojën e tij në krahun e majtë dhe ishte gjithmonë një rrezik për kundërshtarët. Më vjen keq që humbëm pasi është gjithmonë më mirë të fitosh, por mendoj se kemi bërë përmirësime në krahasim me ndeshjen e të mërkurës”.
“Arrijmë të shkojmë mjaft mirë deri në metrat e fundit por aty na mungon pak qartësi. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se Torres luajti 30 minutat e para të sezonit dhe ne jemi duke ndërthurur lojtarë të rinj në skuadër, ndaj nuk mund të presim shumë nga këto ndeshje. Thjesht na mungon pasimi i fundit dhe të jemi pak më cinikë para portës”, tha Di Mateo.
Sipas tij, udhëtimi drejt SHBA i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër një pjesë të lojtarëve të rinj dhe të eksperimentojë me formacionin, pasi shumë lojtarë janë kthyer vonë nga pushimet, ndërsa Mata e Starrixh janë të angazhuar me kombëtaret olimpike.
“Skuadra nuk është bashkuar ende dhe kjo është vetëm përgatitja për sezonin. Këto ndeshje shërbejnë për t’i dhënë një mundësi më shumë të rinjve dhe për të parë se çfarë roli mund të luajnë në të ardhmen”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 July 2012 12:30