Dy atletë shqiptarë kanë qenë që sot protagonistë në Lojërat Olimpike Londër 2012 duke marrë pjesë në disiplinat përkatëse.
Qitësi Arben Kucana ka arritur të dhurojë një rezultat mjaft të mirë në garën e pistoletës me ajër 10 metra, pasi është renditur i 20-ti mes 44 garuesve. Një fillim jo i mirë i garës së tij e penalizoi ndjeshëm në renditje, pasi a regjistroi vetëm 94 pikë në gjuajtjen parë. Më pas, ai realizoi tre herë 96, një herë 97 dhe një 98 në turin e katërt të gjuajtjeve, për të arritur totalin e 577 pikëve, vetëm 6 pikë larg vendit të 8-të që kualifikohej në finalen e kësaj gare. Kucana do të garojë përsëri me datë 5 gusht në disiplinën e pistoletës 50 metra.
Një garë shumë larg pretendimeve ka qenë ajo e notares Noel Borshi, e cila ka arritur të dalë e 40-ta në 42 pjesëmarrëse në garën e 100 metrave flutur. Notarja shqiptare arriti të fitojë baterinë e saj, ku kishte përballë vetëm dy notare të tjera, një nga Kosta Rika dhe një nga Republika Dominikane. Por këta ishin të vetmet notare që ajo arrit të linte prapa me kohën 1:05.49, pasi më pas të gjithë notaret që zbritën në pishinë arritën të regjistronin kohë shumë më të shpejta. Mjafton të kujtosh që në kualifikuese, kohën më të shpejtë e regjistroi amerikania Dana Volmer, që theu rekordin olimpik me kohën 56.25.
Gjatë ditës së sotme ka ardhur edhe konfirmimi përfundimtar për pozitivitetin e Hysen Pulakut ndaj substancave të palejuara në peshëngritje, duke i mbyllur përfundimisht dyert e këtij shtangisti për pjesëmarrjen në Londër2012 pasi ai është larguar nga delegacioni shqiptar. Mbetet të mësohet masa ndëshkimore ndaj tij si dhe ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila gjatë kohëve të fundit është kthyer në një protagoniste të rregullt të ngjarjeve të tilla. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 July 2012 18:01