Trajneri i Argjentinës, Alehandro Sabela, mendon se Lionel Mesi është përmirësuar bashkë me ekipin kombëtar që në momentin kur ka marrë shiritin e kapitenit. Ylli i Barcelonës ka shfaqur gjithmonë një formë të shkëlqyer në klub, po me kombëtaren e ka patur të vështirë të dhurojë të njëjtën paraqitje dhe nuk ka mundur të jetë shpesh aq vendimtar para porte sa me katalanasit, për të cilët shënoi 73 gola në sezonin e kaluar.
“Ai është i lumtur, që kur i kemi dhënë shiritin e kapitenit ka vepruar shumë mirë. Mendoj se është përmirësuar, është pjekur dhe ndjehet më i gëzuar. Pesha e pritshmërisë ndaj tij ekzistonte prej kohësh, por tani është edhe më e madhe me shiritin e kapitenit në krah”, tha 57 vjeçari për “Fox Sports”.
“Mesi dhe Aguero padyshim që kanë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes tyre, por ai tani luan shumë mirë edhe me Gonzalo Higuain. Sigurisht, kur ke lojtarë me aftësi të tilla, ideja është që të gjesh vazhdueshmërinë, që do të thotë që Mesi duhet të luajë gjithmonë me Aguero, me Higuain, ose me të dy bashkë”, tregoi Sabela. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 July 2012 15:01