Robinjo ka treguar nuk po planifikon të largohet nga Milan dhe është i përqendruar që të zhvillojë një sezon sa më të mirë me skuadrën italiane. Sulmuesi brazilian mendohej se do të kthehej te ish-skuadra e tij në vendlindje, Santos, por ai ka bërë të qartë se për momentin nuk dëshiron të ndërrojë ambient.
“Santos ka bërë shumë lëvizje për të më kthyer në Brazil. Por mendoj se kjo nuk është koha e duhur për t’u kthyer, pasi kam ende shumë për të dhënë në radhët e Milanit. Kam shënuar 14 gola në sezonin tim të parë këtu dhe në vitin pasardhës vetëm 6. Mendoj se ka ardhur koha që të kthehem prapë te dyshifrorët”, tha lojtari i cili pranoi se gjithçka do të ishte ndryshe në këtë sezon ku skuadra ka pësuar një transformim të rëndësishëm.
“Ekipi do të jetë ndryshe por jo më pak i fortë. Ky është një klub i madh dhe ne do të jemi përsëri konkurrues. Ka ende kohë deri në përfundimin e merkatos. Skuadra është e freskët nga një vend i parë dhe një vend i dytë në Serinë A, ndaj besoj se do të vazhdojmë të jemi të fortë”, tha lojtari që pritet të jetë titullar i padiskutueshëm pas largimit të Zlatan Ibrahimoviç. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 July 2012 14:10