Real Madrid është mundur 5-2 nga Benfika në miqësoren e parë serioze të këtij sezoni, ndërsa Zhoze Murinjo është shfaqur menjëherë polemik para shtypit, duke mos kursyer ironinë e tij të zakonshme.
“Nëse ka qenë një katastrofë për ju spanjollët të humbni 5-2 në një festë portugeze ndaj Benfikës, ky është problemi juaj. Kam shumë vite në futboll dhe nga 19 trofetë që kam fituar, asnjë nuk ka ardhur në përgatitjet sezonale”, ishte polemika e hapur e trajnerit që ka nxitur përsëri një urrejtje mes spanjollëve dhe portugezëve, siç ka ndodhur shpesh në vitet e fundit.
Por polemikat nuk kanë përfunduar këtu, pasi trajneri portugez ka bërë të qartë se nuk dëshironte të dëgjonte më këshilla “ekspertësh” për lojtarët e akademisë së klubit.
“Kjo ishte një eksperiencë e mirë për të rinjtë, por e dinim që në këtë ndeshje do të vuanim më shumë se zakonisht. Kjo ndeshje është për të gjithë të “ndriçuarit” që mendojnë se të gjithë futbollistët e akademisë janë të gatshëm për të luajtur me ekipin e parë”, shpërtheu përsëri trajneri portugez.
Në fund, nuk mund të mungonte batuta për Kaka, i cili udhëtoi me ekipin por ishte përsëri hija e vetvetes, ndonëse luhej në një ndeshje pa asnjë lloj përgjegjësie. “Ky moment është i vështirë për të nga ana psikologjike. Nuk di si do të vazhdojë situata, por nëse do të qëndrojë, do të nxjerrim më të mirën nga ai”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 July 2012 10:50