Rreth katër orë emocione kanë karakterizuar ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Londër, një spektakël i jashtëzakonshëm i realizuar për të treguar më shumë kulturën e traditën britanike. Para qindra liderëve politikë botërorë, mes të cilëve edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha, dhe mbretëreshës Elizabetë që u bë protagoniste me një video përkrah Xhejms Bond, shtatë atletë të rinj ndezën flakën olimpike duke nisur Lojërat e 30-ta.
Spektakli ka nisur me një dokumentar, ndërsa më pas fituesi i Turit të Francës, Bredli Uigins, i ka rënë një këmbane për të hapur ceremoninë, ku në fillim ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, që deklaroi zyrtarisht paqen olimpike “tradicionale”.
Më pas, historia e Anglisë është inskenuar në 20 minuta, duke filluar nga jeta në fshat, për të vazhduar me revolucionin industrial e deri në kohët moderne, falë aktrimit të mijëra protagonistëve.
Hyrja në stadium e Mbretëreshës Elizabetë ka qenë një nga momentet më interesante, pasi ajo ka qenë fillimisht protagoniste e një filmi të shkurtër me aktorin Daniel Kreig, në rolin e Xhejms Bond, ku përfshihej edhe hedhja me parashutë nga helikopteri.
Radhën e kanë patur përsëri momentet e spektaklit, ku këtë radhë në stadium janë riprodhuar skena që përfshinin Meri Popins e Piter Pan, ku pjesë nga libri për fëmijë u lexuan nga autorja e “Herri Poter”, XH. K. Rouling. Në ceremoni nuk mund të mungonte Rouan Atkinson me personazhi e tij të famshëm, “Mr. Bean”.
Më pas, në skenë kanë zbritur muzikantët që kanë interpretuar disa nga këngët kult të muzikës britanike dhe grupet legjendare si “Beatles”, “Queen”, “Led Zeppelin”, “Rolling Stones”, “Eurythmics” e “Sex Pistols”.
Sfilata e atletëve pjesëmarrës ka filluar rreth orës 23.20, për të vazhduar për më shumë se një orë e gjysmë, e mbyllur nga sportistët e Britanisë së Madhe, që janë pritur triumfalisht nga publiku në stadium.
Në momentin e fjalimeve dhe sjelljes së flamurit olimpik, protagonist ka qenë edhe Muhamed Ali, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Ndërsa pishtari olimpik ka ardhur pranë stadiumit në një motoskaf që nisej mbi lumin Tamiz nga vetë Devid Bekam, i cili ia dorëzoi atë një prej kanoistëve më të mëdhenj, Stiv Redgreiv, i ngarkuar me detyrën për ta sjellë në stadium. Por nderin për të ndezur flakën olimpike e kanë patur 7 atletë të rinj, të cilët kanë hapur zyrtarisht Lojërat Olimpike, ndërsa turma festonte nën muzikën e Pol MekKartnit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 July 2012 08:01