Samir Nasri dhe Zheremi Menez janë bërë objekt pezullimesh nga një Komision Disiplinori Federatës Franceze të futbollit që është mbledhur për të shqyrtuar sjelljen e tyre gjatë Euro 2012.
Mesfushori i Mançester Sitit, Nasri, është pezulluar me tre ndeshje në ekipin kombëtar, pas një sulmi verbal me fjalë banale që i bëri gazetarëve pas humbjes në çerekfinalet kundër Spanjës
Ndërsa Menez është ndëshkuar me një ndeshje pasi pati një përplasje të pakëndshme si me gjyqtarin italian Ricoli gjatë kësaj sfide, ashtu edhe me shokun e skuadrës, portierin Hugo Loris.
Dy futbollistët e tjerë që dolën para këtij komisioni, Jan M’Vila dhe Hatem Ben Arfa, shpëtuan pa asnjë masë ndëshkimore ndaj tyre, ndonëse i pari kishte bërë gjeste ndaj ish-trajnerit Blank, ndërsa i dyti kishte kritikuar vendimet e tij pas humbjes me Suedinë.
Lojtarët e ndëshkuar do të mungojnë të dy në ndeshjen e parë të Didier Deshamp si trajner i Francës, miqësoren e 15 gushtit përballë Uruguait. Ndërsa Nasri nuk do të jetë i pranishëm as në sfidat e shtatorit ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 July 2012 18:01