Emanuel Adebajor ka shkatërruar mundësinë e transferimit të tij nga Mançester Siti te Totenhem pasi i ka kërkuar skuadrës së tij që t’i japë 5 milion paund në dorë që të firmosë për londinezët, të njëjtën shumë që skuadra e re duhej të paguante për të bërë të mundur këtë lëvizje në merkato.
28 vjeçari kaloi sezonin e kaluar në huazim te Totenhem, por atij do t’i duhet të përgjysmojë rrogën e tij aktuale prej 175 mijë paund në javë nëse dëshiron që të kalojë në radhët e kësaj skuadre përfundimisht.
Në vend që të pranojë një rrogë më të ulët, Adebajor i ka propozuar Mançester Sitit që t’i paguajë atij 5 milion paund që Totenhem duhej të derdhte në llogarinë e kampionëve të Anglisë për transferimin e futbollistit, si formë dëmshpërblimi që po pranonte të ulte rrogën.
Situata nuk i ka pëlqyer drejtuesve të skuadrës që kanë ndërprerë menjëherë transferimin e lojtarit, duke e cilësuar të papranueshme një gjë të tillë. Ndonëse Mançester Siti duhet të largojë medoemos futbollistin që ka rrogë të lartë dhe nuk bën pjesë në planet e Mançinit, ata nuk duan ta pranojnë shantazhin që po u bën sulmuesi afrikan.
Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, ata i kanë bërë të ditur lojtarit të pranojë ofertën e Totenhem, ose të kalojë sezonet e ardhshme si një futbollist në pension pasi nuk bën pjesë në planet e klubit dhe as që do të grumbullohet për stërvitje apo ndeshje. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 July 2012 14:10