Agjërimi i atletëve myslimanë gjatë Lojërave Olimpike për shkak të muajit të Ramazanit ka sjellë edhe problemet e para, sidomos në antidoping, ku shumë prej tyre pas garave duhet të japin kampione urine për të provuar se nuk kanë substanca të palejuara në trup.
Shembulli konkret ka qenë pas ndeshjes së futbollit mes Marokut dhe Hondurasit, ku dy futbollistët marokenë të përzgjedhur për kontrollin antidoping pas ndeshjes kanë qëndruar bashkë me mjekun e ËADA për më shumë se dy orë e gjysmë pasi nuk ishin në gjendje të jepnin sasinë e kampionit të kërkuar të urinës për shkak të mungesës së lëngjeve në organizëm.
Lojtarët e Marokut kishin agjëruar dhe kishin që në orët e para të mëngjesit pa konsumuar lëngje, vështirësi që u shtua për faktin se kishin luajtur 90 minuta duke djersitur përballë Hondurasit në takimin që përfundoi me rezultatin 2-2. Futbollistët në fjalë, sipas rregullores, nuk duhet të largohen nga stadiumi derisa të kenë dhënë kampionin e urinës dhe kështu ka ndodhur mbrëmë, kur një delegacion i tërë ka pritur që dy sportistët të përfundonin kontrollin antidoping para se të largoheshin drejt hotelit për të ngrënë më në fund darkë.
Trajneri i Marokut, Pim Verbek, tregoi se ishin në total 9 futbollistë që mbanin agjërim gjatë muajit të Ramazanit dhe për këta lojtarë ishte dhënë leje e veçantë që të flinin gjatë paradites më shumë, pasi qëndronin zgjuar deri në orën 2 pas mesnate kur ushqeheshin dhe fillonin agjërimin për ditën pasardhëse.
“Të them të drejtën, nuk ia kisha idenë se si do të silleshin lojtarët gjatë 90 minutave. Mendoja se do të rezistonin vetëm një orë. Duke parë situatën, jam krenar për mënyrën se si ata kanë luajtur”, tha trajneri pas ndeshjes.
Por shumë nga 3500 sportistët myslimanë që marrin pjesë në Lojërat Olimpike kanë vendosur që të mos agjërojnë gjatë aktivitetit, duke shtyrë agjërimin pas muajit të Ramazanit për “arsye madhore”. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 July 2012 13:20