Tirana i ka dhënë lamtumirën Europa League me një humbje të pritshme, por që këtë radhë ka patur përmasa të turpshme. Bardheblutë janë mundur me rezultatin 5-0 nga Alesund në Norvegji, duke mos treguar asgjë nga ajo që u pa në ndeshjen e parë kundër skandinavëve.
Rubio kishte menduar të luante në kundërsulm për të mbajtur gjallë shpresën e një barazimi dhe mundësisht ndonjë surprize. Por plani i tij ka funksionuar me “shpirt ndër dhëmbë” deri në minutën shtesë të pjesës së parë, atëherë kur Barrantes ka kaluar në avantazh skuadrën norvegjeze për t’i dhënë sigurinë minimale të kalimit të turit pas barazimit 1-1 të sfidës së parë.
Kjo është një goditje e rëndë për bardheblutë që çthuren tërësisht në pjesën e dytë dhe pësojnë menjëherë gol pas vetëm 3-minutash, kur Nation shënoi edhe golin e dytë për vendasit. Rubio mundohet të ndryshojë diçka, duke larguar Sinën dhe Ferrajn për të aktivizuar Morinën e Peposhin.
Por kjo i jep më shumë hapësira në prapavijë kundërshtarëve që gjejnë edhe dy herë të tjera golin me nigerianin Xhejms, ndërsa xhamajkani Stjuart vulos rezultatin 5-0 të kësaj sfide.
Ashtu si në rastin e Skënderbeut ku shkarkimi i trajnerit çek Levi është çështje orësh, edhe te Tirana pritet largimi i Rubios, i cili kishte premtuar një skuadër të fortë, por që me largimin e Balës dhe zhdukjen e Duros është kthyer në një ekip pa peshë dhe që vështirë se mund të jetë pretendent në këtë sezon edhe në Shqipëri. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 20:51