Trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, e ka cilësuar “blerje fantastike” atë të Oskar që i është bashkuar skuadrës së tij duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare. Futbollisti brazilian që u ble nga Internacional për 25 milion paund, është blerja e tretë e Çelsit në fillimin e sezonit të ri, pas atyre të Hazard e Marin, dy lojtarëve të tjerë të shkëlqyer teknikisht.
“Oskar është një talent i jashtëzakonshëm, një mesfushor organizator që shënon gola. Ai do të shtojë shumë opsione për ne në mesfushë. Është një futbollist fantastik, një nga më të rinjtë që ka arritur të bëhet pjesë e kombëtares braziliane dhe për ne do të jetë një blerje e shkëlqyer”, tha trajneri italian.
Afrimi i kaq shumë lojtarëve ofensivë në skuadër ka bërë të lindin dyshime rreth mënyrës se si Di Mateo do t’i administrojë këto lojtarë. Por trajneri fitues i Ligës së Kampioneve ka treguar se do të dijë të gjejë ekuilibrin e duhur në fushë për të kënaqur të gjithë lojtarët.
“Do të jetë një sfidë në vetvete të gjejmë ekuilibrin e duhur në skuadër ndaj po punojmë që të shohim se si të përputhim sa më mirë këto lojtarë. Klubi ka qenë gjithmonë konkurrues, duke kërkuar të përmirësohet dhe të qëndrojë në majën e kampionatit anglez ndaj gjithë këto opsione ofensive do të na japin ne një mundësi më shumë për të arritur objektivat”, tha Di Mateo i cili me sa duket në këtë sezon do të lërë pas dore taktikën e famshme të “parkimit të autobusit” që i dha Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 18:01