Ezekiel Laveci ka treguar se është gati të fillojë një kapitull të ri në karrierën e tij me ekipin e PSZH dhe ka zbuluar se kishte rreth një vit që mendonte të largohej nga Napoli, pasi e cilësonte ciklin e tij te skuadra italiane si të mbyllur.
“Nuk ishte periudha e duhur për t’u larguar nga Napoli kur më janë bërë oferta nga skuadra të tjera. Por që nga viti 2011 e kuptova që cikli im poshtë Vezuvit kishte përfunduar. Jam 27 vjeç dhe nëse do të kisha pritur përsëri për të lëvizur, do të ishte shumë vonë. Për këtë arsye vendosa që të pranoja të largohesha nëse vinte një ofertë e rëndësishme”, tha ai për mediat franceze.
Lojtari argjentinas mendohej se do të shkonte në Angli, ku është kërkuar shpesh nga disa prej ekipeve më të njohura të kampionatit atje, por ai vendosi të zgjidhte Francën duke i besuar projektit të PSZH.
“Më tërhoqi projekti dhe ideja për të jetuar në Paris. Të paktën e mbylla karrierën te Napoli me fitoren e Kupës së Italisë, nuk kishte mënyrë më të mirë për t’i thënë lamtumirë tifozëve të zjarrtë të asaj skuadre”, tregoi futbollisti që iu bashkua skuadrës italiane në vitin 2007. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 17:01