Shtanga shqiptare ka pësuar një tjetër goditje të rëndë, pasi peshëngritësi Hysen Pulaku, konkurrues në Londër 2012 në peshën 77 kilogramë, ka rezultuar pozitiv në testin anti-doping.
Analizat janë kryer që në ditën kur delegacioni shqiptar i peshëngritjes ka udhëtuar drejt Londrës, teste të zhvilluara nga Agjencia Ndërkombëtare Antidoping në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Sipas asaj që raportohet nga delegacioni shqiptar në Londër, Pulaku ka kërkuar t’i nënshtrohet testit B para se të braktisë përfundimisht pjesëmarrjen në Olimpiadë.
Pak kohë më parë, peshëngritja shqiptare mori një goditje edhe më të rëndë pasi Erkand Qerimaj rezultoi pozitiv në testin antidoping dhe u dënua fillimisht me 2 vjet pezullim, dënim që u ul në 11 muaj. Por gjithsesi, kjo mjaftoi që ai të humbte pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike ku pritej të shkonte si Kampion Evrope në peshën 77 kilogram, pas suksesit të arritur në kampionatin e zhvilluar në Antalia.
Kuptohet që pasi rezultoi pozitiv në testin anti-doping, Qerimajt iu hoqën medaljet e fituara në Antalia, ashtu si edhe titulli Kampion Evrope. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 16:32