Milan shpreson të huazojë Rikardo Kaka nga Real Madrid për këtë sezon, ndërsa synon të mos paguajë për transferimin e futbollistit brazilian.
Administratori i përgjithshëm i Milan, Adriano Galiani, la të nënkuptohet në ditët e fundit se po mendohet seriozisht për kthimin e lojtarit në radhët e kuqezinjve, një fakt i konfirmuar edhe nga menaxheri i futbollistit, i cili tregoi për mediat italiane se ka patur edhe bisedime paraprake mes klubit e lojtarit.
Por Milani ka bërë të qartë se planifikon t’i japë futbollistit vetëm 5 milionë euro nga 10 milionë euro që ai ka të parashikuara në kontratën e tij me madrilenët. Këta të fundit kanë vënë një çmim prej 25 milionë eurosh për futbollistin brazilian, por edhe kjo është një shumë që Milan nuk ka ndërmend ta paguajë, pasi për momentin ka vështirësi financiare.
Të dy klubet nuk janë ulur ende zyrtarisht në tavolinën e bisedimeve por Galiani do të takojë presidentin e Realit, Florentino Perez, për t’i bërë të qartë idenë e tij. Milani është gati t’i “heqë qafe” Kaka për një sezon, nëse Reali i paguan gjysmën e rrogës. Blerja përfundimtare e futbollistit mund të diskutohet vetëm në fundin e sezonit të ardhshëm, pasi të shihet nëse ish-“Topi i Artë” do të kthehet në formën e dikurshme apo do të vazhdojë të jetë hija vetvetes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 10:50