Ledian Memushaj ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke u kthyer përfundimisht nën kontratë me ekipin e Kievos. Lojtari do të firmosë sot një kontratë afatgjatë me ekipin e Serisë A, por do të huazohet te Leçe për të luajtur aty në sezonin e ardhshëm, në Serinë B.
Memushaj ka luajtur në vitin 2010 dy ndeshje me fanellën e Kievos, skuadër për të cilën firmosi në verën e atij vitit. Por futbollisti më pas u huazua te Portogruaro duke u larguar nga skuadra e qytetit të Veronës dhe sezonin e fundit luajti në radhët e Karpit. Në 18 ndeshje, ai arriti të shënonte 6 gola, ndërsa fitoi edhe përfaqësimin me kombëtaren shqiptare të futbollit, me të cilën luajti dy ndeshje.
Kjo paraqitje e tij ka tërhequr Kievon, e cila ka arritur të sigurojë përsëri firmën e futbollistit 25 vjeçar, tek i cili sheh perspektivë për të ardhmen. Por fillimisht Memushaj duhet të tregojë aftësitë e tij në elitën e futbollit italian dhe për këtë arsye ai do të huazohet.
Drejtuesit e Leçes e kanë pritur me entuziazëm lajmin e huazimit të Memushajt, pasi e kishin ndjekur vetë për një kohë të gjatë futbollistin shqiptar. Me aktivizimin e tij në Serinë B, lojtari pritet të kthehet në një element të rëndësishëm edhe për kombëtaren kuqezi, ku trajneri De Biasi ka nevojë pikërisht për një organizator pas lamtumirës së Skelës dhe situatës së paqartë të Bakajt. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 09:20