“Kam dëgjuar disa zëra, zëra që thonë se Valentino do të kthehet”, kjo është një batutë e Horge Lorencos që lë shumë pak vend për dyshime, pasi duket se Valentino Rosi do të bëhet përsëri pjesë e skuadrës së Jamaha.
Italiani nuk ka kaluar një periudhë të lumtur te Dukati, ku duket qartë se projekti i skuadrës italiane me idenë e tij për një motor konkurrues është krejtësisht ndryshe. Për këtë arsye, kanë rifilluar hapur zërat për bisedat e tij me drejtuesit e Jamahas, të cilët duan të rikrijojnë dyshen Rosi-Lorenco, për të patur përsëri në skuadër dy pilotët më të fortë në qarkullim.
“Mund të jetë diçka e mirë për Jamahan. Ishim një dyshe e mirë në të kaluarën, por për momentin nuk ka asgjë zyrtare. Unë dua një rival të fortë në skuadër”, shtoi Lorenco.
“Më vjen keq që Ben Spis po largohet nga Jamaha, me të cilën ka garuar për shumë vite. Mendoj se ka potencial dhe i uroj më të mirën për të ardhmen. Tani duhet të shohim se çfarë do të ndodhë me pilotin e dytë të Jamahas për sezonin e ardhshëm”, tha kryesuesi i kampionatit botëror në MotoGP. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 July 2012 15:53