Garet Bejl mund të ndalohet të luajë me Totenhemin gjatë gjithë kohëzgjatjes së Lojërave Olimpike, gjithmonë nëse Federata Angleze e sheh të arsyeshme të bëjë një ankesë në FIFA, siç deklaroi presidenti i organizmit që drejton futbollin botëror, Sep Blater.
Bejl ishte përfshirë në skuadrën e Britanisë së Madhe që do të marrë pjesë në Londër 2012, por u largua nga aty për shkak dëmtimi. Megjithatë, uellsiani luajti për Totenhemin të martën në një miqësore parapërgatitore në SHBA, duke arritur edhe të gjente rrugën e rrjetës përballë skuadrës së LA Galaksi.
“Parimi është se në rast se klubi nuk e lë të lirë lojtarin, atëherë Federata përkatëse mund të vijë në FIFA dhe ne e pezullojmë lojtarin gjatë gjithë kohëzgjatjes së Olimpiadës, edhe në ndeshjet miqësore. Askush deri tani nuk ka ardhur në FIFA për të bërë ankimim, por ekziston mundësia që ne t’i pezullojmë këto lojtarë”, tha Blater, i cili sqaroi se shumë shtete, mes të cilëve Zvicra, kishin preferuar që të mos e bënin të detyrueshme përgjigjen pozitive të futbollistëve për pjesëmarrje në aktivitet.
Por aktivizimi i Bejl ka sjellë reagime të ashpra nga ish-futbollistët, ku i pari ka qenë një tjetër uellsian, Robi Savixh, që ka komentuar kthimin e tij në fushën e lojës.
“Pra një legjendë si Rajan Gigs luan për Britaninë e Madhe, por Bejl largohet si i dëmtuar dhe tani shënoi për Totenhemin? Kapiteni i Uellsit (Aron Ramsi), lojtari më i dekoruar (Rajan Gigs), fituesi i kampionatit anglez (Mikah Riçards); mos vallë Bejl mendon se është më i mirë se këta”, ishte koment i ish-lojtarit në Twitter.
Edhe më ironike batuta e Geri Lineker. “Garet Bejl, i cili u largua nga Olimpiada për shkak dëmtimi, luajti për Totenhemin një natë më parë. Ka hedhur poshtë mundësinë që i vjen vetëm një herë në jetë”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 July 2012 15:34