Rikardo Kaka ka 72 orë kohë për të vendosur të ardhmen e tij, para se këtë vendim ta marrë Real Madrid. Klubi madrilen i ka bërë të qartë lojtarit se nuk bën pjesë në planet e të ardhmes dhe do të bënte mirë të gjente shumë shpejt një ekip.
Atij i është thënë se në skuadër nuk ka më hapësira dhe për këtë arsye, i janë dhënë 72 orë kohë për të menduar se çfarë të bëjë. Këto tre ditë përkojnë me udhëtimin e skuadrës madrilene drejt Portugalisë e më pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas asaj që raporton “Marca”, Kaka duhet të gjejë një sistemim vetë para të shtunës, në mënyrë që të evitojë një figurë të keqe, pasi Murinjo nuk dëshiron ta ketë me vete atë si në ndeshjen kundër Benfikës, ashtu edhe në turneun amerikan.
Si Reali, ashtu edhe futbollisti, kanë rënë dakord se nuk do të ishte në të mirën e të dy palëve që futbollisti të përfundonte duke u stërvitur i vetmuar në ambientet e klubit ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të luante futboll në anën tjetër të Atlantikut.
Jo rastësisht, Milan ka dhënë sinjalet e para të një afrimi me futbollistin, ndonëse kuqezinjtë nuk duan kurrsesi të shpenzojnë 20-25 milion euro për brazilianin e aq më tepër 9 milionë euro rrogë që pretendon ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 July 2012 12:35