Filipo Inziagi është zyrtarisht një trajner. “Superpipo” do të drejtojë në skuadrat e moshave të akademisë së Milanit deri në qershorin e vitit 2014, duke mbyllur përfundimisht karrierën e tij si futbollist. Ndonëse atij nuk i kanë munguar oferta të rëndësishme nga klube si Malaga, Granada, Uotford, Atalanta e Siena, Inzagi ka vendosur të braktisë përfundimisht fushën e blertë si futbollist, për të ndjekur tashmë ndeshjet nga pankina si trajner.
“I jap fund karrierës si lojtar, pasi për mua fillon një aventurë e re. Ishte e vështirë të largohesha nga futbolli i luajtur, por tani dua të fitoj Ligën e Kampioneve si trajner”, tregoi ai objektivin që i ka vënë vetes.
“Dua të falënderoj klubet që më kanë ofruar të luaj përsëri, edhe sot më erdhi një tjetër ofertë nga Anglia, e cila më bëri të mendohem shumë. Por në fund mendova se lidhja që ndjej me Milanin duhet të vazhdojë për shumë arsye. Tani nis ky kapitull i ri. Kam ëndërruar të fitoj Ligën e Kampioneve me Milan dhe shpresoj që ta bëj këtë gjë realitet edhe si trajner, ashtu siç ka bërë Ançeloti. Kjo është ëndrra ime tani”, tha ish-lojtari.
Inzagi largohet nga etapa e fundit e karrierës së tij në futbollin e luajtur pasi ka zhvilluar 202 ndeshje zyrtare me fanellën e Milan, duke shënuar 73 gola. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 July 2012 08:40