Sezoni i ri është gati të fillojë por Sullei Muntari nuk e harron lehtë sezonin e kaluar, sidomos sfidën mes Milanit dhe Juventusit ku praktikisht u vendos edhe lufta për titullin kampion.
Lojtari ganez nuk e harron lehtë “golin fantazmë” që shënoi në atë ndeshje si dhe faktin që një portier i njohur si Xhixhi Bufon nuk e kishte pranuar menjëherë që topi kishte kaluar vjen e portës në momentin e ndërhyrjes së tij.
“Jam zhgënjyer nga fjalët e Bufon. E dija shumë mirë që topi kishte kaluar vijën e portës, ashtu si edhe ai”, tha lojtari i Milanit që ka pranuar se është inatosur më shumë kur ka dëgjuar më vonë Bufon të deklaronte para mediave se nuk “do ta thoshte asnjëherë në fushë që topi kishte kaluar vijën”.
“Kur je në fushë dhe ke adrenalinën në maksimum, mund të ndodhë që të bësh ndonjë skenë. Por deklarata e tij është diçka krejtësisht ndryshe. Ai gol mund të na kishte fituar titullin kampion”, kujton me keqardhje lojtari i cili do të mungojë në fillimin e kampionatit për shkak të një dëmtimi që ka marrë duke luajtur me shokët gjatë pushimeve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 12:35