Luçiano Spaleti, trajneri i kampionëve të Rusisë, Zenit Shën Petersburg, i ka dhënë leksione Fabio Kapelos mbi mënyrën e jetesës në këtë vend.
Të dy trajnerët u takuan pas ndeshjes së fundjavës, ku Zenit mundi Amkar Perm me rezultatin 2-0.
“Fabio është një figurë e jashtëzakonshme dhe një trajner me eksperiencë shumë të madhe. Nuk merr kurrë vendime bazuar në opinionin e të tjerëve, por vetëm në eksperiencën që ka grumbulluar gjatë viteve. Nuk janë të shumtë italianët që ia kanë idenë se si është situata në Rusi. Kjo është arsyeja pse unë i tregova atij disa gjëra rreth jetesës këtu. Shpresoj që bashkëbisedimi ynë ta ndihmojë”, tha Spaleti.
Ai më pas pranoi se i kishte prezantuar Kapelos disa prej futbollistëve të përfaqësueses që luajnë me Zenit, apo lojtarë që janë kandidatë për kombëtaren.
“E prezantova me Bistrov, i cili mungoi në Euro 2012 për shkak të një dëmtimi dhe gjithashtu me Bukarov, i cili luajti me kombëtaren. Por duhet të theksoj se ai ishte i interesuar më shumë për pamjet video të ndeshjeve tona. Fabio do të udhëtojë nëpër të gjithë Rusinë për të parë nga afër lojtarët që janë kandidatë. Unë kam të njëjtën ide si ai. Informacioni i vërtetë është vetëm ai që sheh me sytë e tu”, tha Spaleti. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 10:01