Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis dhe menaxheri i famshëm italian Mino Raiola, nuk kanë një marrëdhënie shumë të mirë mes tyre dhe kohët e fundit kanë thumbuar njëri-tjetrin publikisht. Këtë radhë, Raiola ka vendosur të trembë napolitanët duke bërë të qartë se lojtarët e mëdhenj duan të largohen nga skuadra e tyre.
“E ardhmja e Kavanit? Nëse do të mund të largohej, do ta bënte menjëherë”, tha menaxheri i cili gjithsesi nuk është përfaqësuesi i sulmuesit uruguaian që kërkohet nga skuadra si Çelsi, Mançester Siti, Juventus e PSZH.
“De Laurentis më ka frikë, prandaj flet kundër meje. Por kjo do të thotë se respekton punën që bëj. Kemi ide të ndryshme por unë e respektoj një gjë të tillë. Klubi është i tiji dhe mund të bëjë çfarë të dojë me të”, tha Raiola për presidentin e Napolit.
Në fund, ai ka mbrojtur punën tij duke treguar se objektivi i tij nuk është të krijojë miqësi me presidentët, por të mbrojë lojtarët që përfaqëson.
“De Laurentis preferon të ketë lojtarë që nuk më kanë mua si menaxher. Por ky më duket si kompliment pasi ai ndoshta kërkon lojtarë që të tremben nga prania e tij, në mënyrë që të bëjnë çfarë thotë ai. Por puna ime është kjo: të mbroj lojtarët në mënyrë që të kenë në duar karrierën e tyre dhe sigurisht që projekti im nuk përputhet me atë të presidentit të Napolit”, përfundoi Raiola. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 08:01