Presidenti i Internacional, Xhovani Luixhi, ka konfirmuar se Çelsi ka një akord për blerjen e mesfushorit Oskar nga radhët e kësaj skuadre. Futbollisti kreu vizitat mjekësore dy ditë më parë, por deklaroi se nuk kishte nënshkruar ende më ekipin e tij të ri dhe se çdo vendim do ta merrte pas Lojërave Olimpike ku është pjesë e kombëtares së Brazilit.
Por tani transferimi i tij duket edhe më i sigurt, pasi presidenti i Internacional tregoi se është arritur akordi verbal që shumë shpejt do të hidhet në letër dhe firmoset nga palët e përfshira.
“Ka një akord verbal mes palëve. Por kuptohet që gjithçka duhet të hidhet në letër dhe të diskutohet nga avokatët e të dy klubeve”, tha ai për “Radio Guiaba”. Mendohet se ky akord do të parashikojë pagesën e 25 milion paund në adresë të klubit brazilian për të siguruar lojtarin.
Ndërkohë, ka dështuar oferta e parë e londinezëve për të siguruar sulmuesin polak Robert Levandovski, për të cilin Dortmund tani kërkon 35 milion paund. Fituesit e Ligës së Kampioneve raportohet të kenë bërë një ofertë prej 17 milion paund për lojtarin, por kanë marrë një refuzim të prerë nga kampionët e Gjermanisë.
Futbollisti 23 vjeçar është kthyer në një objektiv merkatoje pasi londinezët kanë parë me kujdes se si janë rritur çmimet e të gjithë sulmuesve kryesorë në arenën ndërkombëtare, me klubet që kërkojnë shifra të çmendura për emra si Kavani, Hulk apo Falkao. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 July 2012 08:40