Trajneri i Totenhem, Andre Vijas Boas, ka kritikuar mesfushorin Luka Modriç i cili gjithashtu do të dënohet me gjobë prej 80 mijë paund pasi refuzon të stërvitet me londinezët.
Modriç u mundua një vit më parë të largohej nga klubi me drejtim Çelsin, por pa sukses, ndërsa këtë vit po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, me objektiv transferimin te Real Madrid.
Në këtë situatë, Vijas Boas ka bërë të qartë se kroati thjesht po komplikon situatën te klubi, pasi përveç mungesave në stërvitje, ka bojkotuar edhe udhëtimin drejt SHBA të skuadrës.
“Mendoj se Modriç e ka gabim. Gjithçka do të kthehet kundër tij. Ai e ka përkeqësuar situatën me atë që po bën dhe tani shefi i klubit (Daniel Levi) është shumë i inatosur. Kjo nuk është koha më e përshtatshme për ta bërë një gjë të tillë, pasi Levi është në SHBA sepse ka gruan e sëmurë”.
“Modriç është një lojtar i mirë, shumë i mirë. U mundova ta blija kur isha te Çelsi. Do të jetë një humbje e madhe nëse largohet. Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën, i jep qartësi lojës dhe mund të veprojë në disa pozicione të ndryshme”, tha tekniku portugez. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 18:01