Deri dy ditë më parë, Guor Marial ishte një atlet i mirë. Që nga dita e djeshme, ai është një atlet olimpik, pasi u konfirmua pjesëmarrja e tij në Londër 2012.
Refugjati nga Sudani i Jugut u kualifikua që në tetor pasi arriti normën olimpike “A” në maratonë, duke e përshkruar atë në 2 orë, 14 minuta e 32 sekonda. Këtij talenti, thjesht i mungonte një shtet që të përfaqësonte.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërkon që atletët pjesëmarrës në Olimpiadë të jenë shtetas të vendeve që përfaqësojnë. Megjithëse Marial ka jetuar për 11 vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai nuk ka marrë ende shtetësinë amerikane, edhe pse sipas tij ka bërë kërkesë me kohë dhe plotëson kushtet për një gjë të tillë.
“Teknikisht duhej të bëhesha një shtetas amerikan që një vit më parë, por pastaj filluan kontrollet e prejardhjes dhe ata kërkuan shumë kohë”, tregoi Marial, i lindur në republikën e Sudanit të Jugut, një shtet i saposhpallur që nuk ka një Komitet Olimpik dhe si rrjedhojë, nuk mund të përfaqësohet ende në Lojërat Olimpike.
Pas shumë peticioneve ndërkombëtare nga organizatat e refugjatëve në të gjithë botën, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi dje t’i jepte të drejtën vrapuesit të përfaqësohej në Lojërat Olimpike, ndërsa do të garonte me flamurin olimpik dhe jo me atë të vendlindjes nga e cila është larguar që i vogël për shkak të luftës që zhvillohej atje. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 10:01