Interi ka fituar turneun miqësor TIM që zhvillohet si gjithmonë në Bari, kundër skuadrave të Milan e Juventus në tre sfida me 45 minuta.
Zikaltërit kanë mundur në sfidën e parë Juventusin me rezultatin 1-0, falë edhe një gjendje më të mirë fizike. Por falënderimet më të mëdha interistët duhet t’ia bëjnë ish-futbollistit të tyre, Lusio, i cili la t’i ikte topi dhe më pas pa Kutinjon të shënonte në portën e mbrojtur nga Storari.
Sfida e dytë, ajo mes Juventusit dhe Milan, u mbyll me fitoren 1-0 të kampionëve të Italisë, ndonëse dhuroi më pak emocione se takimi i parë i mbrëmjes. Vendimtar ishte goli i Vuçiniç me penallti, të fituar nga vetë malazezi që është shfaqur në një formë të mirë në këtë ndeshje të parë.
Takimi i tretë, ai mes Milanit dhe Interit, ka folur përsëri për zikaltërit, që kanë përmbysur golin e El Sharaui me anë të Guarin dhe Palacio për të fituar 2-1 dhe për të marrë trofeun.
Të gjitha skuadrat janë ankuar për terrenin e lojës ku si pasojë e barit të rrëshqitshëm, kanë qenë 3 lojtarë të Juventus që kanë pësuar dëmtime, ku më i rëndë duket ai i Kaceres që ka dëmtuar ligamentet. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 08:01