Fernando Alonso ka treguar se mbetet një nga pilotët më të mirë në qarkullim në një pistë të lagur, duke fituar pole position në Çmimin e Madh të Gjermanisë në pistën e Hokenhaim.
Pas pjesës së parë të kualifikuesve, një shi u rrëmbyeshëm filloi mbi pistë gjatë pjesës së dytë, ndërsa mendohej se provat do të pezulloheshin ashtu siç ndodhi në Silverston. Por drejtuesit e garës menduan që t’i vazhdonin kualifikueset në pistë të lagur dhe këtu Alonso tregoi talentin e tij duke regjistruar kohën 1 minutë e 40.621 sekonda, rreth 4/10 më e shpejtë se ajo e pilotit më të afërt, Sebastian Vetel me Red Bull.
Ndonëse Mark Ueber u rendit i treti gjatë provave zyrtare, ai do të humbasë 5 pozicione në vijën e nisjes për shkak të një ndryshimi që ka bërë në makinë në mëngjesin e sotëm. Kjo ka sjellë që vija e dytë të përbëhet nga dy pilotë të tjerë gjerman, Mikael Shumaker dhe Niko Hulkenberg, të cilët do të mundohen të gjejnë një sukses në pistën e shtëpisë.
Pastor Maldonado arriti të çonte në vendin e 5-të makinën e tij Uilliams, para Xhenson Baton, i cili për herë të parë në këtë sezon, tregohet më i shpejtë në provat zyrtare se sa shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton. Pol Di Resta dhe Kimi Raikonen mbyllin rreshtin makinave në 10 vendet e para. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 15:01