Mesfushori brazilian Oskar ka pranuar se ka zhvilluar testet mjekësore te Çelsi, por do të vendosë nëse do t’i bashkohet kësaj skuadre apo jo vetëm pas përfundimit të Lojërave Olimpike.
Pas miqësores që kombëtarja olimpike braziliane zhvilloi kundër Britanisë së Madhe, Oskar ka pranua se ka qenë në ambientet e klubit, por deklaroi gjithashtu se nuk ka nënshkruar kontratë me londinezët, të cilët e kërkojnë me ngulm që prej ditës së hapjes së merkatos verore.
“Ishte thjesht një takim me doktorin e ekipit, asgjë tjetër. Nuk kam firmosur ende asnjë kontratë me askënd dhe do të pres fundin e Lojërave Olimpike për të vendosur fatin tim”, tha lojtari 20 vjeçar i Internacional. “Të gjithë lojtarët brazilianë e kanë si ëndërr të luajnë në Evropë. Edhe unë, ashtu si gjithë të tjerët, dua të luaj këtu, në kampionatin anglez”, pranoi ai.
“Ndeshja e sotme ishte një rezultat i mirë por besoj se si kombëtare duhet të përmirësohemi dhe të rritim nivelin e lojës tonë gjatë turneut për të arritur në finale. Po i gëzohem kësaj atmosfere, nuk ndjej trysni. Sigurisht që jam i përqendruar maksimalisht te Olimpiada, por njëkohësisht dua t’i tregoj publikut britanik se mund të luaj mirë në këtë vend”, tha Oskar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 16:01