Yjet e kombëtares amerikane të basketbollit, LeBron Xhejms, Kobi Brajant dhe Kevin Durant, kanë treguar se janë njohës të mirë të futbollit, ndërsa nuk kanë ngurruar të shprehin admirimin e tyre për Lionel Mesin, duke e cilësuar atë si më të mirin në botë.
Kombëtarja amerikane do të luajë në Barcelonë një miqësore përgatitore ndaj Spanjës, të cilën do ta ketë rivale kryesorë në Lojërat Olimpike. Por me këtë rast, mediat katalanase nuk kanë ngurruar të pyesin LeBron Xhejms çfarë mendon për yllin e skuadrës së futbollit të këtij qyteti.
“Mesi është futbollisti më i mirë në botë. Nëse nuk është kështu që tani, shumë shpejt ai do të jetë futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve”, ishte përgjigja e LeBron Xhejms, i cili ka pranuar se ka ndjekur shumë shpesh ndeshjet e katalanasve pasi është një tifoz futbolli, pa harruar faktin që është edhe aksioner te Liverpuli.
“Mesi është më i miri! Absolutisht më i miri! Një herë pata mundësin që ta ndiqja në stërvitje dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë”, ishin fjalët e Kobi Brajant për lojtarin argjentinas.
I të njëjtit mendim është edhe Kevin Durant, i cili ka pranuar se nuk është një njohës aq i mirë i futbollit sa dy shokët e tij në kombëtare, por njeh padyshim aftësitë e Mesit.
“Ai është i pabesueshëm, është më i miri në botë. Kam parë disa veprime të tij dhe aksionet e golave, jo ndeshje të plota. Por më mjaftojnë për të thënë se është një futbollist i pabesueshëm”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 14:10