Karl Hainc Rumenige u ka bërë thirrje klubeve gjermane që të mos paguajnë më menaxherët e futbollistëve që transferojnë, duke e cilësuar këtë praktikë si “idiote”.
“Duhet që të jetë futbollisti që ta paguajë menaxherin, pasi ky i fundit i siguron shërbimin futbollistit dhe jo klubit”, ishin fjalët e tij në një intervistë për “Bild”.
Qëndrimi i tij u mbështet fuqimisht nga pronari i Borusia Dortmund, Hans-Joakim Uatzke, i cili i bëri thirrje klubeve të bashkoheshin me këtë iniciativë. “Rumenige ka të drejtë. Por që t’ia dalim mbanë me dhënien fund të kësaj praktike, të gjithë klubet duhet të bien dakord”.
Sipas ekspertëve të ndryshëm, mendohet se klubet e Bundesligës u kanë paguar më shumë se 80 milionë euro menaxherëve të lojtarëve vetëm për transferimet e sezonit të kaluar.
Drejtori i përgjithshëm i Shalkes, Horst Held, tha se do të ishte “e përshtatshme të sigurohej një tarifë fikse”, ndërsa drejtori sportiv i Verder Bremen, Klaus Allofs, iu bashkua këtij propozimi të fundit.
Aktualisht, sipas rregullave, menaxherët përfitojnë rreth 10%-15% të të gjithë shifrës së transferimit të futbollistit. “Nëse një klub e dëshiron një futbollist, do të bëjë gjithçka për ta siguruar atë”, shpjegoi menaxheri Gerd Vom Bruh. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 11:40