Roberto Di Mateo ka bërë të qartë se dëshiron që Çelsi të harrojë triumfet në arenën ndërkombëtare dhe të fokusohet të rifitimi i titullit kampion në Angli, për t’u kthyer përsëri skuadra dominuese në futbollin e këtij vendi asht si disa vite më parë.
Në intervistën e tij, Di Mateo ka kujtuar me nostalgji 12 javët që i ndryshuan karrierën, pasi e kthyen nga një asistent te Çelsi, në trajnerin fitues të Ligës së Kampioneve.
“Ata janë javët më të çmendura dhe më emocionuese të jetës sime. Po luftonim për vendin e katërt, Kupën FA dhe Ligën e Kampioneve. Kalonim nga një turne në tjetrin dhe trysnia ishte e jashtëzakonshme. Gjithçka ishte e çmendur”.
Por ai pranon se tashmë euforia e fitores në Mynih është lënë pas krahëve dhe 42 vjeçari insiston se objektivat janë krejtësisht ndryshe nga ato të sezonit të kaluar.
“Mançester Siti ka rritu nivelin e sfidës. Sfida jonë është të ngushtojmë 25 pikët diferencë që kishim me ta në sezonin e fundit. Ata po bëjnë pikërisht atë që bëri Çelsi në vitin 2004, në mënyrën se si hynë në skenë, duke blerë shumë lojtarë dhe duke u munduar të ndërtojnë një bazë të shëndoshë për të ardhmen. Kjo është sfida që na pret ne”, tha Di Mateo. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 10:01