Masimiliano Alegri, trajneri i Milanit, pranon se ky do të jetë një vit më i vështirë për kuqezinjtë, që janë të detyruar t’i kthehen futbollit të bazës me emra të rinj, pasi i kanë dhënë lamtumirën shumë kampionëve.
“Ky do të jetë viti zero, në të cilin janë larguar 12 kampionë, shumë për shkak të moshës dhe dy për shkak të zgjedhjeve të klubit. Ndaj do të na duhet të kthehemi edhe një herë te futbolli i bazës, ndonëse shumë lojtarë të vitit të kaluar kanë vendosur të qëndrojnë”, pranoi ai.
“Vitin e kaluar, kemi patur surpriza të rëndësishme në merkato në ditën e fundit. Nuk është çështje emrash se sa cilësie lojtarësh të cilët si karakteristikë mund të kompletojnë repartin e avancuar, mesfushën dhe mbrojtjen”.
“Milan ka lojtarë të tjerë me vlerë të madhe. Por kampionët shërbejnë për të ekzaltuar skuadrën. Ibra, Tiago, Gatuzo, Zambrota, Nesta, Inzagi, Sedorf apo të tjerët, nuk është se do të gjejmë 10 zëvendësues menjëherë për futbollistë të tillë. Unë nuk kam “prerë koka”, jam thjesht një punëtor i klubit”.
Në fund dy fjalë edhe për lamtumirën e Ibrahimoviç dhe Tiago Silva, që praktikisht i ka dhënë fund ëndrrave për dominim ndërkombëtar të Milanit. “Të mos stërvitësh dy lojtarë të tillë është keqardhje për çdo trajner, por shifrat që ka përfituar Milan janë shumë të rëndësishme. Klubi e dinte që me largimin e tyre do të kishim mangësi dhe do të na duhet të gjejmë lojtarë dhe cilësi të tjera për t’i zëvendësuar”, tha Alegri. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 07:58